Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ashpër ndaj protestave që po tronditin vendin, duke i cilësuar ato si “sulme të organizuara” dhe duke paralajmëruar masa të ashpra shtetërore për të rivendosur kontrollin në rrugë. Protestat, të udhëhequra kryesisht nga studentë dhe grupe opozitare, kanë përfshirë qytete si Beogradi, Novi Sadi dhe Valjevo, duke sjellë përplasje të dhunshme me forcat e rendit.
Në një fjalim publik të mbajtur të premten, Vuçiq tha se shteti do të reagojë “ndryshe nga çdo herë tjetër”, duke përmendur arrestime masive brenda dhjetë ditëve të ardhshme për personat që i quajti “elementë agresivë” të protestave.
“Ditëve në vijim do të shihni një reagim shtetëror ndryshe nga çdo herë tjetër. Ne nuk do të lejojmë më që bandat të sundojnë rrugët,” deklaroi Vuçiq, duke e cilësuar protestën si një “akt të organizuar dhune” dhe duke aluduar për ndikim të jashtëm në organizimin e saj.
“Ngjarjet në Valjevo ishin të tmerrshme, pak më pak në Beograd, dhe po aq të rënda në Novi Sad. Duhet të themi të vërtetën – nuk ishte protestë, ishte sulm i organizuar,” tha ai.
Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, konfirmoi se janë arrestuar dhjetëra persona dhe se priten ndalime të tjera në ditët në vijim. Sipas autoriteteve, disa prej protestuesve kanë shkatërruar objekte publike dhe seli të Partisë Progresive Serbe (SNS), që drejtohet nga Vuçiq.
Në Beograd dhe Novi Sad janë raportuar përleshje me policinë, përdorim i gazit lotsjellës dhe incidente të dhunshme mes protestuesve dhe grupeve të dyshuara si provokatorë pro-qeveritarë. Zjarre janë vënë në disa ndërtesa të SNS, ndërsa pamjet dramatike janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.
Organizatat ndërkombëtare dhe Këshilli i Evropës kanë shprehur shqetësim dhe kanë bërë thirrje për përmbajtje dhe respektim të të drejtave të njeriut, duke theksuar rëndësinë e të drejtës për protestë paqësore.
Protestat vijnë si reagim ndaj politikave autoritare të qeverisë, krizës së lirisë së medias, korrupsionit të lartë dhe akuzave për manipulime në zgjedhjet e fundit. Lëvizja studentore është shndërruar në një valë më të gjerë pakënaqësie ndaj regjimit të Vuçiqit, i cili prej vitesh akuzohet për kapjen e institucioneve dhe shtypjen e opozitës.
Burimet: AP News, Reuters, Financial Times
