Vuçiq kërcënon Kosovën: “Serbia do të fitojë, gjërat po ndryshojnë në botë

Para 10 muaj

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka lëshuar deklarata kërcënuese ndaj Kosovës, duke theksuar se shteti serb do të jetë gjithmonë në krah të serbëve që jetojnë në Kosovë dhe se, sipas tij, Serbia do të fitojë në fund.

Në një intervistë për televizionin publik të Serbisë (RTS), Vuçiq është pyetur për arrestimet dhe vendimet e fundit të institucioneve të Kosovës ndaj qytetarëve serbë. Ai u shpreh se situata nuk do të përfundojë së shpejti, por shtoi me siguri: “Në fund Serbia do të fitojë. Dhe jam absolutisht i sigurt për këtë.”

Vuçiq la të kuptohet se po ndodhin ndryshime të mëdha në skenën globale që, sipas tij, do të ndikojnë edhe në çështjen e Kosovës. “Ndërsa gjërat po ndryshojnë ngadalë por me siguri në botë, jam i bindur se Serbia do të fitojë”, tha ai.

Presidenti serb përfundoi deklaratën me një metaforë: “Nuk do të duhet shumë kohë që uji të rrjedhë poshtë Savës dhe Danubit që njerëzit ta vënë re.”

Deklarata e Vuçiqit ka ngjallur reagime të menjëhershme në Kosovë, duke u konsideruar si retorikë nxitëse në një kohë të ndjeshme për rajonin.