Vuçiç sulmon Kurtin pas arrestimit të zyrtarit serb: “Provokon incidente me pasoja për gjithë rajonin”

Para 9 muaj

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas arrestimit të zyrtarit serb Igor Popoviç nga autoritetet kosovare, duke e akuzuar Kurtin për përshkallëzim të qëllimshëm të tensioneve në rajon.

Në një intervistë për televizionin serb TV Pink, Vuçiç tha se veprimet e Qeverisë së Kosovës po çojnë në situata të rrezikshme dhe të paparashikueshme për Ballkanin Perëndimor.

“Kurti po provokon incidente që mund të kenë pasoja të paparashikueshme për Ballkanin Perëndimor. Arrestimi i Igor Popoviç tregon se Kurti e ka humbur plotësisht mendjen dhe dëshiron të krijojë tensione të reja. Ne do të reagojmë në mënyrë të ashpër, sepse ky terror duhet të ndalet në një moment,” deklaroi Vuçiç.

Zyrtari serb Igor Popoviç është vendosur në paraburgim për 30 ditë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me dyshime për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme. Ky vendim ka shkaktuar reagime të ashpra nga autoritetet serbe, të cilat e cilësojnë arrestimin si “politik” dhe “të motivuar etnikisht”.

Vuçiç bëri të ditur se ka informuar partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet e fundit dhe kërkoi ndërhyrje të menjëhershme për të, siç tha ai, “ndalur veprimet e papërgjegjshme të Kurtit”.

“Problemi ynë kryesor nuk janë protestat në rrugë, por Albin Kurti, i cili po përpiqet të provokojë incidente në rajon. Ai po e shtyn gjithë Ballkanin drejt përplasjes,” tha presidenti serb.

Ngjarja vjen në një periudhë të tensionuar në marrëdhëniet Kosovë–Serbi, ndërsa bisedimet në Bruksel janë të ngrira dhe retorika politike është përshkallëzuar në të dyja anët.