Vuçiç feston me këngë çetnike në Serbi, i shoqëruar nga një ministër shqiptar

Para 9 muaj

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mori pjesë të martën në ceremoninë e inaugurimit të seksionit të ri të autostradës “Miloš Veliki”, në segmentin Pakovraće–Požega. Ceremonia u shoqërua me një atmosferë festive, ushqim tradicional, muzikë dhe këngë me motive nacionaliste serbe, përfshirë edhe këngë të njohura çetnike.

Pjesë e këtij eventi ishte edhe ministri shqiptar në qeverinë serbe, Demo Berisha, i cili njëkohësisht është edhe president i Partisë Përparimtare Serbe. Pjesëmarrja e tij në këtë ceremoni është vlerësuar nga analistët si një përpjekje për të legjitimuar ndikimin serb me përfshirje simbolike të shqiptarëve pro-Beogradit.

Në video të publikuara në rrjete sociale, Vuçiç shihet duke kënduar “Garda e Mbretit Petar” dhe duke brohoritur gjatë një kënge tjetër çetnike, ndërsa feston me muzikantë dhe birrë në dorë. Në një moment, ai shihet duke u emocionuar nga kënga “Morem plovi jedna mala barka”, një këngë që lavdëron çetnikët dhe përmend figurën e gjeneralit Drazha Mihajloviq – komandanti i forcave çetnike gjatë Luftës së Dytë Botërore, të njohura për krime kundër civilëve në Ballkan, përfshirë shqiptarët e Kosovës.

Segmenti i ri i autostradës ka një gjatësi prej 19.5 kilometrash dhe përfshin 35 ura dhe tre tunele, përfshirë tunelin “Munjino Brdo” dhe “Laz”, që llogariten ndër më të gjatat në Serbi. Projekti është financuar nga shteti serb dhe realizuar nga kompania kineze China Communications Construction Company.