Vrasje në Prizren pas përleshjes së qenve – Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin

Para 8 muaj

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar 30 ditë paraburgim për të pandehurin E.B., i cili dyshohet për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ngjarja ndodhi më 10 gusht 2025, rreth orës 20:30 në lagjen “Tusuz” të Prizrenit, pas një mosmarrëveshjeje mes E.B. dhe viktimës H.SH. Fillimisht, dy të dyshuarit i nxitën qentë e tyre të përlesheshin, dhe më pas, pas një fjalosjeje të shkurtër, E.B. e goditi H.SH.-në me thikë. Viktima u dërgua në QKUK në Prishtinë, ku ndërroi jetë si pasojë e plagëve.

Sipas prokurorisë, E.B. akuzohet për veprën penale të vrasjes së rëndë, kryer “në mënyrë dinake dhe të befasishme”, si dhe për mbajtje të paautorizuar të armës. Gjykata ende nuk ka marrë vendim për kërkesën e paraburgimit.