Toronto është renditur si qyteti me cilësinë më të dobët të ajrit në botë, pasi tymi nga zjarret masive në pyjet e Ontarios veriperëndimore ka mbuluar qytetin dhe është përhapur deri në verilindje të SHBA-së. Agjencia “Environment Canada” e klasifikoi nivelin e ndotjes si “rrezik shumë i lartë”, ndërsa kompania IQAir e vendosi Toronton në krye të listës globale për ndotjen e ajrit. Tymi ka shkaktuar alarme shëndetësore edhe në New York City, ku autoritetet u kanë kërkuar banorëve të kufizojnë aktivitetet në natyrë. Në Kanada vazhdojnë të jenë aktive mbi 800 vatra zjarri, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht personave me probleme shëndetësore, të tregojnë kujdes.
