Vrasja në Patos: Arrestohet një person i dytë, dyshohet se ndihmoi të bijën në mbytjen e babait me tel

Para 9 muaj

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi fshatin Frashër të Patosit mbrëmjen e së mërkurës, ku 26-vjeçarja Ermalinda Rama dyshohet se vrau babain e saj, Anesti Rama, duke e mbytur me tel.

Policia e Fierit bëri me dije sot se ka arrestuar një person të dytë, të dyshuar si bashkëpunëtor në krim. Bëhet fjalë për Çlirim Doganin, 55 vjeç, i cili dyshohet se ka ndihmuar Ermalindën në ekzekutimin e të atit.

Sipas hetimeve paraprake, mes Ermalindës dhe Doganit ka pasur një lidhje intime, e cila nuk miratohej nga babai i saj. Konfliktet e vazhdueshme për këtë marrëdhënie mund të kenë përshkallëzuar situatën deri në tragjedi.

Ermalinda Rama punonte sezonal në zonën e Sukut të Roskovecit, në serat bujqësore të fshatrave Suk 1, Suk 2 dhe Arapaj, ku dyshohet se është njohur me Çlirim Doganin. Ky i fundit është i martuar dhe baba i disa fëmijëve.

Në dëshminë e tij para hetuesve, Dogani ka mohuar çdo përfshirje, duke pretenduar se në momentin e krimit ndodhej në një tjetër fshat. Policia është duke verifikuar alibitë e të dyshuarve dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të krimit.

Ngjarja ka tronditur thellë opinionin publik dhe komunitetin lokal të Patosit, ndërsa Prokuroria e Fierit po vijon me intensitet hetimet për këtë vrasje tronditëse brenda familjes.