Vrasja në Gjykatën e Apelit në Tiranë – Policia jep detaje, kapet autori dhe sekuestrohet arma

Para 6 muaj

Policia e Shtetit ka publikuar detaje zyrtare lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi pasditen e sotme brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja dhe u plagosën dy persona të tjerë.

Sipas njoftimit, autori i dyshuar është Elvis Shkambi, 30 vjeç, i cili ishte palë në një proces gjyqësor për një çështje pronësie. Ai dyshohet se ka hapur zjarr ndaj gjyqtarit Kalaja dhe dy pjesëtarëve të palës tjetër në proces – R.K., 65 vjeç, dhe E.K., 45 vjeç (atë e bir).

Ngjarja ndodhi rreth orës 15:40, ndërsa Policia ka reaguar menjëherë, duke arrestuar autorin në vendngjarje dhe sekuestruar armën e krimit.

“Si pasojë ka humbur jetën gjyqtari A.K., ndërsa R.K. dhe E.K. janë plagosur dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën,” thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.

Aktualisht, grupi hetimor po vijon veprimet në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.