Vrasja e komisar Artan Cukut, kërkohet burgim i përjetshëm për Bledar Jambellin

Para 11 muaj

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë ka kërkuar burgim të përjetshëm për shtetasit B.J. (Bledar Jambelli) dhe K.L. për akuzat e “Vrasjes së punonjësve të policisë së shtetit” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve”, lidhur me vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cukut.

Hetimet zbuluan se B.J., i cili kishte precedentë penalë dhe ishte në kërkim që nga vitet 2000, kishte përgatitur vrasjen në shenjë hakmarrjeje ndaj ish-drejtorit Cuku, pasi në vitin 2012 ishte hetuar dhe më pas liruar në një rast të vrasjes së dy shtetasve në Vlorë.

Sipas prokurorisë, B.J. bashkëpunoi me K.L., i cili pajisi një person tjetër, M.Sh., me armë për të kryer atentatin, duke i premtuar edhe pagesë dhe arratisje në Gjermani.

M.Sh. qëlloi Artan Cukun me të paktën tetë plumba dhe më pas u arrestua, duke bashkëpunuar me drejtësinë dhe duke pranuar dënimin me dhjetë vite burg.

Prokuroria vlerëson se vrasja u krye me paramendim dhe me motive hakmarrjeje, ndërsa për këtë arsye kërkon dënim maksimal për B.J. dhe K.L.