Votimi i fshehtë, Osmani pret vendimin e Kushtetueses

Para 9 muaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media ka sqaruar pozicionin e saj lidhur me çështjen e votimit të fshehtë në Kuvend, duke theksuar se Presidenca nuk e ka trajtuar këtë çështje për shkak se ajo tashmë është objekt shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese.

Osmani bëri të ditur se dy kërkesa janë dorëzuar tashmë në Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), prandaj, sipas saj, nuk ka qenë e nevojshme që edhe Presidenca të dorëzonte një kërkesë të tretë me përmbajtje të njëjtë.

“Ne nuk e kemi trajtuar këtë çështje për shkak se është trajtuar në dy kërkesa të reja që janë për momentin para Gjykatës Kushtetuese, e dorëzuar nga PDK dhe LDK. Nuk kemi menduar që është e nevojshme ta trefishojmë kërkesën e njëjtë. Dhe shpresojmë shumë që edhe për këtë çështje të ketë përgjigje”, deklaroi Osmani.

Ajo shtoi se ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese vendosjen e një mase të përkohshme për pezullimin e afatit, me qëllim që të shmangen pasoja të mundshme derisa të jepet një vendim përfundimtar.

Kjo deklaratë e Presidentes vjen në një kohë kur tensionet politike në vend janë rritur për shkak të zhvillimeve në Kuvend dhe debatit mbi procedurat parlamentare, përfshirë mënyrën e votimit dhe respektimin e afateve ligjore.