Vlorë: Goditet rrjet prostitucioni, në kërkim një 29-vjeçare braziliane

Para 11 muaj

Policia e Vlorës ka goditur këtë të martë një rrjet prostitucioni që operonte në qytetin bregdetar, duke shpallur në kërkim një shtetase braziliane, e dyshuar si organizatore e aktivitetit të paligjshëm.

Sipas njoftimit zyrtar, shtetasja B.F., 29 vjeçe, akuzohet për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur me qëllim shfrytëzimin për prostitucion” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.

Hetimet tregojnë se e dyshuara shfrytëzonte për prostitucion dy bashkëkombëse të saj, të moshave 34 dhe 30 vjeçe, në një apartament në lagjen “Lef Sallata” të Vlorës. Të dyja këto gra janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni”.

“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasen braziliane B.F., 29 vjeçe, pasi dyshohet se shfrytëzonte për prostitucion në një apartament në lagjen ‘Lef Sallata’, dy shtetase të tjera braziliane, përkatësisht 34 dhe 30 vjeçe,” thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet hetimore janë dërguar në Prokurori për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.