Vlora Çitaku shpërthen ndaj Kurtit: Vizita në Srebrenicë me Martin Berishajn është spektakël hipokrizie dhe abuzim me viktimat

Para 9 muaj

Sekretarja e Përgjithshme dhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj vizitës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Srebrenicë, ku ai mori pjesë në përkujtimin e gjenocidit serb ndaj civilëve boshnjakë.

Çitaku kritikoi Kurtin për faktin që në këtë vizitë ishte i shoqëruar nga Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci, i përfshirë më herët në skandale të rënda financiare, që ende nuk janë sqaruar plotësisht nga institucionet kosovare.

“Kur përkujtimi shndërrohet në spektakël hipokrizie, kur në emër të viktimave përpiqesh të pastrosh figurën e një njeriu të përfshirë në skandale të rënda, kjo nuk është as empati, as drejtësi – është abuzim,” ka shkruar Çitaku në një reagim të publikuar në rrjete sociale.

Ajo e cilësoi këtë veprim si një fyerje dhe poshtërim për Kosovën, për viktimat dhe për të gjithë ata që luftuan për drejtësi e të vërtetën.

“Ky është një abuzim i skajshëm me dhimbjen dhe një arrogancë e frikshme ndaj kujtesës historike,” theksoi më tej deputetja e PDK-së.

Vizita e Kurtit në Srebrenicë ndodhi në kuadër të aktiviteteve ndërkombëtare përkujtimore për viktimat e gjenocidit të vitit 1995, ku forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem boshnjakë në vetëm pak ditë. Reagimi i Çitakut vjen në një kohë kur qeveria e Kosovës vazhdon të përballet me kritika për mungesën e transparencës dhe llogaridhënies, sidomos në rastin Berishaj.