Vlora Çitaku akuzon kryesuesin e seancës konstituive për arbitraritet dhe gjuhë të papranueshme ndaj deputetes Sala Jashari

Para 8 muaj

Deputetja dhe sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si u udhëhoq seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nga kryesuesi Avni Dehari. Çitaku e akuzoi Deharin për injorim arbitrar të kërkesës së PDK-së për një pauzë konsultative dhjetëminutëshe përpara votimit të deputetit Dimal Basha për postin e kryekuvendarit.

Sipas Çitakut, kërkesa për konsultim ishte “krejtësisht legjitime”, veçanërisht duke pasur parasysh se vetë deputeti Basha ishte i befasuar nga propozimi për kryeparlamentar. Ajo theksoi se refuzimi i kësaj kërkese e shtyu grupin parlamentar të PDK-së të mos votojë kundër, por të abstenojë në shenjë proteste.

“Kryesuesi i Kuvendit, ashtu siç ka vepruar tash e gati pesë muaj, edhe sot udhëhoqi me arbitraritet – duke na e mohuar kërkesën krejtësisht legjitime për një konsultim 10-minutësh, para votimit për deputetin Dimal Basha – i cili edhe vetë dukej i befasuar nga ky propozim,” shkroi Çitaku në një reagim publik.

Ajo publikoi gjithashtu një video që, sipas saj, vërteton se kërkesa për pauzë ishte bërë qartazi dhe ishte injoruar me vetëdije nga kryesuesi. Në video, dëgjohet Dehari duke iu drejtuar deputetes më të re të Kuvendit, Sala Jashari, me fjalët: “Veç rri ti, veç rri. Edhe unë po i dëgjoj, sikur ti që i dëgjon.”

Çitaku e cilësoi këtë si gjuhë të papranueshme dhe që shkel normat e respektit institucional.

“Një qasje e tillë disrespektuese nuk është qasje që kërkon zgjidhje,” theksoi ajo, duke i bërë thirrje kryesuesit Dehari të reflektojë dhe të udhëheqë Kuvendin me “respekt, dialog dhe përgjegjësi institucionale”.

Ky incident ndodh në një kontekst të tensionuar politik, ku përpjekjet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë të përballen me pengesa dhe mospajtime të thella ndërmjet partive politike.