Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Riga, ka ndarë momente nga takimet në Letoni, ku theksoi rëndësinë e forcimit të partneritetit me NATO-n në fushën e sigurisë dhe komunikimit strategjik.
Në Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM), Osmani diskutoi për thellimin e bashkëpunimit në ndërtimin e kapaciteteve të Kosovës në sigurinë kibernetike dhe përpjekjet për anëtarësim në NATO.
Në një tjetër aktivitet, ajo mori pjesë në diskutim në Shtëpinë e Evropës me gra lidere dhe aktiviste letoneze, ku ndau përvojën e Kosovës në ndërtimin e paqes dhe rolit të grave në proceset demokratike dhe të sigurisë.
Vizita u përmbyll me një ndalesë simbolike në Muzeun e Okupimit të Letonisë, ku Osmani vlerësoi qëndresën historike të dy popujve ndaj pushtimit dhe padrejtësive, duke e cilësuar kujtesën kolektive si themel për një të ardhme të drejtë dhe të sigurt.
