Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar sot dekretin për mandatarin e ri të Qeverisë, duke i besuar Albin Kurtit formimin e ekzekutivit të ri të vendit.
Vendimi erdhi pas propozimit zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë që doli fituese me më së shumti ulëse në Kuvend, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.
“Presidentja i ka uruar suksese z. Kurti, kryeministër në detyrë, me shpresën që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, Kurti tani ka afat 15 ditë për të paraqitur përbërjen dhe programin e Qeverisë në Kuvend për miratim.
Ky hap vjen pas përmbylljes së procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, i cili ishte bllokuar për muaj të tërë për shkak të mospajtimeve mbi përfaqësimin e komunitetit serb në kryesi. Më 10 tetor 2025, Nenad Rashiq u zgjodh nënkryetar i Kuvendit, duke plotësuar kërkesat kushtetuese dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e kishte cilësuar të papërfunduar seancën konstituive të 15 prillit.
Tashmë, me Kuvendin e konstituuar plotësisht dhe me mandatarin e dekretuar, pritet që procesi i formimit të Qeverisë të vazhdojë brenda afateve kushtetuese.
