Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka filluar fushatën e saj joformale për të siguruar një mandat të dytë në postin e presidentes së vendit. Sipas tij, Osmani ka nisur lobimin nëpërmjet takimeve joformale me përfaqësues të partive politike për të siguruar votat e nevojshme në Kuvend.
“Domosdoshmërisht tani fillon beteja e presidentes sepse i duhen votat… Ajo është duke lobuar kryesisht me një parti që i shkon fjala dhe edhe me të tjerët paksa, se i ka thirr për kafe,” ka thënë Haliti në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai shtoi se, ndonëse në PDK dhe AAK nuk ka qëndrim zyrtar për këtë çështje, ka individë nga këto parti që tashmë kanë zhvilluar takime me Osmanin. “Edhe në PDK i shkon fjala… edhe në AAK ka njerëz të tillë,” deklaroi Haliti.
Sa i përket Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haliti vuri në dukje se brenda saj ekzistojnë ndasi: “Në LDK ka shumë inate kundër saj, por ka edhe shumë që e duan – e ata që e duan tani për tani janë faktorë më të mëdhenj në LDK,” u shpreh ai.
Presidentja Vjosa Osmani ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht nëse do të kandidojë për një mandat të dytë, por këto deklarata vijnë në një kohë kur në skenën politike kanë nisur lëvizjet dhe pozicionimet për fazën e ardhshme institucionale në Kosovë
