Viti 2025 ka regjistruar numrin më të lartë të fataliteteve në vendet e punës që nga paslufta, ka deklaruar Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës. Në një intervistë për emisionin “Fol me Arin” në Klan Kosova FM, Azemi theksoi se gjatë vitit 2024 ishin regjistruar 12 raste vdekjesh në vendin e punës, ndërsa vetëm në tremujorin e parë dhe pjesën e parë të muajit prill të vitit 2025, janë shënuar tashmë 10 raste fatale.
Ai shprehu shqetësimin se shifrat e tilla tregojnë se nuk po i kushtohet vëmendja e duhur sigurisë në punë dhe se organet përgjegjëse nuk janë duke u angazhuar siç duhet për të parandaluar këto tragjedi. Azemi bëri thirrje për një rritje të masave mbrojtëse dhe një angazhim më të madh nga autoritetet për të garantuar sigurinë e punëtorëve në vendin e punës.
