Video e vitit 2014 nxjerr deklaratat e Gërvallës kundër Kurtit – Sot e quan socialdemokrat

Para 8 muaj

Kryetarja e Listës Guxo dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, është përballur së fundmi me një video të vitit 2014, ku shprehej ashpër kundër Albin Kurtit – tashmë aleatit të saj politik. Në intervistën e atëhershme, Gërvalla e krahasonte gjuhën e Kurtit me atë të regjimit të Millosheviqit dhe regjimit komunist shqiptar.

“Gjuha që ai përdor më kujton kohën e regjimit komunist,” kishte deklaruar Gërvalla në një intervistë me gazetarin Adriatik Kelmendi, duke e cilësuar ideologjinë e Kurtit si ekstremisht të majtë.

Megjithatë, në një intervistë të fundit në emisionin Pressing, Gërvalla tha se Kurti ka ndryshuar ndjeshëm që nga ajo kohë.

“Ai ka lëvizur kogja shumë nga e majta ekstreme drejt një partie socialdemokrate,” tha ajo, duke shtuar se edhe atëherë kishte qenë e hapur për të shprehur mendimet e saj kritike.

Deklaratat e saj kanë ngjallur reagime në opinionin publik, për shkak të kontrastit mes qëndrimeve të kaluara dhe aleancës së tanishme politike.