Vetëvendosje me dëshmitarë në Speciale” – Gucati përmend Gërvallën

Para 8 muaj

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka persona që janë dëshmitarë në Gjykatën Speciale.

Në një konferencë për media, Gucati përmendi emrin e ish-ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, duke pretenduar se ajo ka dorëzuar dokumente në këtë gjykatë. Sipas tij, Gërvalla vetë ka pranuar këtë veprim në të kaluarën.

“Një gënjeshtër apo një shpifje e tyre, ashtu siç e ka Lëvizja Vetëvendosje, sepse në atë parti politike ne e dimë, ne e dimë që ka edhe dëshmitarë në Gjykatën Speciale, duke filluar nga Donika Gërvalla e cila ka dorëzuar dokumentacione në atë kohë që vetë e ka pranuar”, tha Gucati,

Ai paralajmëroi se së shpejti do të bëhen publikë edhe emra të tjerë dhe se OVL-UÇK do të ndërmarrë veprime të reja.

“Të tjerët që do të dalin me emra, nuk do të fshehim asgjë nga askush, sepse nuk kemi frikë nga askush. Mos të na matin impulsin, atë na e ka matur Serbia dhe ka dalë humbëse. Dimal Basha me kategoritë e dala nga lufta, sidomos me veteranë të UÇK-së, invalidë dhe dëshmorë do të dalë humbës. Ne do të marrim veprime të tjera shumë shpejt”, shtoi ai.

Deklaratat e Gucatit vijnë në një periudhë tensionesh politike dhe përplasjesh publike mes përfaqësuesve të OVL-UÇK-së dhe institucioneve të vendit.