Veterani i UÇK-së proteston para Kuvendit: “Qeveria ka harruar vlerat e luftës

Para 9 muaj

Pak para nisjes së seancës së 48-të konstituive të Kuvendit të Kosovës, veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lulzim Prokshi, ka protestuar në heshtje para ndërtesës së legjislativit.

Në një intervistë për emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, ai ka treguar arsyet e protestës dhe mesazhin që synonte të përcillte.

“Protestën e kam filluar vet, për shkak se nëse kishte me qenë një grup më i madh, këta po thonë se po organizon X partia. S’kam bërë bisedë me kurrkënd, por me kë kam biseduar kanë dashur të bashkohen. Por dje kam dashur vet, në heshtje,” deklaroi Prokshi.

Ai shprehu shpresën për krijimin e një qeverie të mirëfilltë, që sipas tij do t’i japë përparësi çështjeve që prekin drejtpërdrejt veteranët dhe familjet e dëmtuara nga lufta.

“Kemi 20 mijë gra e burra të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. S’është bërë gjë për këtë kategori. Kjo qeveri që kemi pasur deri tani, për vlerat e luftës nuk ka bërë kurrgjë,” shtoi ai me tone kritike.

Prokshi tha se gjenerata e luftës ndjen detyrimin moral për të reaguar, pasi sipas tij, nuk u krijuan kushtet e duhura për brezat e rinj.

“E ndjejmë të obligueshme me dalë, me e ngritë zërin, si gjeneratë më e vjetër. Rinisë nuk ia kemi mundësuar kushtet e duhura.”

Megjithatë, ai tha se ndjehet krenar për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Policinë, të cilat i vlerësoi si institucione që kanë ruajtur identitetin dhe dinjitetin e vendit.

Lidhur me Gjykatën Speciale në Hagë, ku po gjykohen disa nga ish-krerët e UÇK-së, Prokshi u shpreh se ata po mbahen padrejtësisht dhe se drejtësia po vonon për ata që dhanë shumë për lirinë e Kosovës.