Veteranët shpërthejnë kundër Gjykatës Speciale: “E shndërruar në strukturë të mbyllur, po shkel të drejtat e njeriut!”

Para 11 muaj

Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka dërguar një tjetër letër alarmuese, këtë herë drejtuar Komisionerit për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Michael O’Flaherty. Pas letrës së dërguar ish-emisarit amerikan Richard Grenell, veteranët vazhdojnë fushatën ndërkombëtare duke kërkuar një hetim të pavarur mbi shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në letër theksohet se gjykata speciale po operon në izolim total nga sistemi kushtetues i Kosovës, duke abuzuar me të drejtat e të akuzuarve përmes paraburgimeve të tejzgjatura, kufizimeve në ndihmën juridike dhe redaktimeve të tepruara të dokumenteve.

“Dhomat e Specializuara nuk përfaqësojnë më një institucion gjyqësor të ndërtuar mbi vlerat evropiane të të drejtave të njeriut. Ato janë shndërruar në një strukturë të mbyllur hermetikisht”, thuhet në letrën e organizatës.

Veteranët kanë denoncuar gjithashtu mosrespektimin e Avokatit të Popullit të Kosovës, si institucion i ligjshëm dhe me kompetenca për të hetuar çështjet e të drejtave të njeriut.

Ata përmbyllin se ajo që nisi si instrument drejtësie, është kthyer “në diçka krejt tjetër”, duke e konsideruar tashmë si çështje të rëndë të shkeljes së të drejtave, e jo vetëm ligjshmërisë procedurale.