Ndonëse Dita e Veteranit shënon sakrificën dhe kontributin e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës, këtë vit shteti dështoi të organizojë qoftë edhe një aktivitet simbolik për t’i nderuar ata. Veteranët e UÇK-së, kategoria që dha më shumë për lirinë e vendit, vazhdojnë të mbeten ndër më të anashkaluarat që nga përfundimi i luftës.
Në këtë ditë të veçantë, pa ceremoni zyrtare, pa fjalime dhe pa mirënjohje institucionale, mirënjohja erdhi nga aty ku është më e pastër dhe më e sinqertë – nga familja.
Kolonel Fuad Ramiqi u surprizua nga vajzat e tij, Amra Nur dhe Sihana, të cilat e falënderuan për kontributin e tij dhe të gjithë luftëtarëve të UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Teksa ai po lexonte i qetë, vajzat hynë në dhomë me tortë në duar, duke i uruar Ditën e Veteranit dhe duke i shprehur krenarinë e tyre për luftën dhe sakrificën e tij.
Ky moment i thjeshtë, por thellësisht emocional, ishte dëshmi se ndonëse institucionet harrojnë, familjet nuk harrojnë kurrë. Amra Nur dhe Sihana u shprehën krenare për babain e tyre dhe për rrugën e vështirë që ai dhe bashkëluftëtarët e tij kaluan për lirinë që sot gëzon Kosova.
Një falënderim që nuk erdhi nga shteti, por që kishte peshën e historisë.
