Veteranët e UÇK-së kërkojnë fonde urgjente për mbrojtjen juridike të të burgosurve në Hagë

Para 9 muaj

Prishtinë – Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka drejtuar një letër zyrtare ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke kërkuar sigurimin e menjëhershëm të mjeteve financiare për mbrojtjen juridike të të akuzuarve në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në këtë letër, organizata shpreh shqetësimin e thellë për mungesën e mbështetjes financiare institucionale, duke theksuar se kjo situatë rrezikon seriozisht të drejtat e të akuzuarve dhe përfaqësimin e duhur ligjor të tyre.

“Proceset që po zhvillohen në Hagë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së përfaqësojnë jo vetëm individët, por edhe historinë e drejtë të luftës sonë çlirimtare. Mbrojtja adekuate dhe profesionale e tyre është një domosdoshmëri themelore e drejtësisë dhe një detyrim moral e institucional i Republikës së Kosovës,” thuhet në letrën e veteranëve.

Organizata thekson se përkrahja financiare për mbrojtjen ligjore të të burgosurve është e nevojshme për të garantuar një proces të drejtë dhe për të mbrojtur integritetin e luftës çlirimtare, të cilën, sipas tyre, gjykimi në Hagë po e vë në dyshim.

Kjo kërkesë vjen në një moment kur janë bërë publike të dhëna nga Ministria e Drejtësisë se deri më tani janë shpenzuar mbi 32 milionë euro për këtë qëllim, por Organizata e Veteranëve sinjalizon se fondet janë të pamjaftueshme për mbulimin e mbrojtjes së nevojshme për të gjithë të akuzuarit.