Në mesin e dhjetëra mijëra njerëzve që morën pjesë në tubimin protestues dhe në bllokadën 15-orëshe të qendrës së Kragujevcit në Serbi më 15 shkurt, ishin edhe veteranë të Brigadës së 63-të të Parashutës.
Si ish-pjesëtarë të kësaj njësie të Ushtrisë serbe, ata janë kontrovers, për shkak të rolit që kanë luajtur gjatë luftës në Kosovë.
Pjesëtarë të kësaj brigade kanë qenë të pranishëm në vendin e njërit prej krimeve më masive të kryera nga forcat serbe në komunën e Gjakovës.
Me bereta të kuqe në kokë – njërin prej simboleve të njësisë së tyre – ata fillimisht bënë homazhe dhe vendosën kurora lulesh te monumenti i qytetarëve të Kragujevcit, të cilët u pushkatuan nga nazistët në vitin 1941.
Më pas iu bashkuan protestës së thirrur nga studentët, të cilët, për gati tre muaj, kanë bllokuar më shumë se 60 fakultete, për shkak të vdekjes së 15 personave nga shembja e strehës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, nëntorin e vitit të kaluar.
Kjo nuk ishte hera e parë që anëtarët e Shoqatës së Veteranëve të Brigadës së 63-të të Parashutës morën pjesë në tubime masive, të organizuara nga studentët në qytete anembanë Serbisë.
Ata ishin të pranishëm më 1 shkurt edhe në Novi Sad, ku akademikë dhe qytetarë të tjerë bllokuan Urën e Lirisë për 27 orë, si dhe më 27 janar në Beograd, ku një kryqëzim rrugësh, i njohur si Autokomanda, u bllokua për 24 orë.
Nga ajo që dihet, ata nuk janë të përfshirë në organizimin e aktiviteteve të studentëve, të cilët distancohen nga ndikimet politike dhe lidhjet me parti apo organizata politike, raporton rel.
Pse iu bashkuan protestave?
Praninë e tyre në këto tubime, ata e shpjeguan në një deklaratë të publikuar më 6 shkurt në ueb-faqen e shoqatës, në të cilën, mes tjerash, thuhet se Shoqata e Veteranëve të Brigadës së 63-të të Parashutës “nuk është organizatë politike” dhe se “prania e veteranëve në ngjarjet aktuale nuk shpreh ndonjë qëndrim politik, përveç shqetësimit për sigurinë e të rinjve që protestojnë në mënyrë paqësore”.
“Në opinion ka ndarje të thellë ndaj studentëve dhe të rinjve që protestojnë, janë bërë kërcënime ndaj tyre dhe janë emëruar grupe të tëra parashtetërore, që gjoja duhej t’i shpërndajnë protestat me dhunë”, thuhet në deklaratë.
Studentët dhe qytetarët tjerë, që çdo ditë i bllokojnë rrugët dhe kryqëzimet për nga 15 minuta, për të nderuar në heshtje 15 viktimat e Novi Sadit, kanë qenë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve verbale dhe fizike. Dy studente u plagosën rëndë në dy incidente të ndara në Beograd, pasi u përplasën nga makinat.
Në deklaratën e veteranëve të Brigadës së 63-të të Parashutës thuhet se disa anëtarë të kësaj shoqate “kanë marrë pjesë aktive në mbrojtjen e studentëve nga kërcënimet e mundshme për sigurinë dhe jetën e tyre”.
Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se veteranët, si pjesëtarë të pensionuar të ushtrisë, janë duke marrë pjesë në protesta që kanë mbështetje të gjerë publike për kërkesat e tyre. Ngjashëm, atyre u janë bashkuar edhe mësimdhënës, fermerë, juristë dhe punonjës të kulturës.
Kandiq shton se me praninë e tyre, veteranët nuk janë duke përcjellë mesazhe lidhur me qëndrimet e tyre politike.
“Ata po ofrojnë mbështetje, ashtu si edhe grupet e tjera shoqërore atje. Ata mbështesin atë që shumica dërrmuese e njerëzve mbështesin – që institucionet ta bëjnë punën e tyre”, thotë Kandiq.
Radio Evropa e Lirë nuk arriti të siguronte ndonjë koment nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Serbisë për pjesëmarrjen e veteranëve të Brigadës së 63-të të Parashutës në protestat në Serbi.
