Tetë raste me fruth në Kosovë, IKSHPK-ja thërret prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët

Para pak minutash

Tetë raste të fëmijëve të prekur me fruth janë regjistruar në Kosovë gjatë dy javëve të fundit të muajit prill.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se të gjitha rastet e konfirmuara janë fëmijë të pavaksinuar me vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubellës).

IKSHPK ka theksuar se fëmijët e prekur janë duke marrë trajtim spitalor, duke dëshmuar për potencialin serioz të komplikimeve të mundshme që mund të shkaktojë fruthi.

Ky institucion u ka bërë thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë fëmijët në qendrën më të afërt të mjekësisë familjare në komunën përkatëse.

“Gjithashtu, rekomandohet që të shmangen kontaktet e panevojshme me persona të dyshimtë në fruth që shfaqin simptoma, si temperaturë e lartë, skuqje, ndryshime në lëkurë, kollë apo rrufë.  Çdo person me shenja të dyshimta në fruth, duhet të paraqitet menjëherë në institucionet shëndetësore”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Instituti rikujton se vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

“Çdo vonesë në vaksinim e rrit rrezikun për përhapje të mëtejshme dhe komplikime serioze, veçanërisht tek fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.