Vetëm Amerika mund ta zgjidhë”: Bajrami për rikthimin e Trump në çështjen e Kosovës

Para 10 muaj

Akademik Arsim Bajrami ka vlerësuar si zhvillim pozitiv deklaratën e presidentit amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi rikthimin e tij në ndërmjetësimin për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për Info Magazinë, Bajrami tha se angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thelbësor për zgjidhjen e këtij konflikti të gjatë dhe të ndërlikuar, dhe se pa ndërhyrjen aktive të SHBA-së, nuk mund të ketë zgjidhje përfundimtare.

“Është një lajm shumë i mirë angazhimi i Z. Trump me çështjen e Kosovës sepse ka pasë një vakum të interesimit amerikan. Ne e dimë se pa Amerikën, konflikti mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të përfundojë”, tha Bajrami.

Megjithatë, ai kërkoi nga presidenti Trump që të jetë i informuar drejt dhe të kuptojë qartë natyrën e konfliktit.

“Shpresoj që Trump të këshillohet mirë dhe të mos barazojë palët. Serbia ka qenë agresori, ajo ka ushtruar gjenocid në Kosovë. Shqiptarët janë mbrojtur. Ky nuk është konflikt mes dy palëve të barabarta – është një konflikt i imponuar nga Serbia ndaj Kosovës”, theksoi ai.

Bajrami rikujtoi përfshirjen e mëhershme të Trump në dialog, kur në vitin 2020 u arrit marrëveshja për normalizimin ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Avdullah Hoti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Jam i sigurt se me fuqinë politike që ka Amerika, Trump mund të detyrojë edhe Serbinë që të përmbyllë këtë konflikt dhe t’i hapë rrugë një marrëveshjeje përfundimtare”, shtoi Bajrami.