Qeveria në detyrë ka emëruar Labinot Zeqirin në pozitën e kryeinspektorit të Inspektoratit Qendror të Shëndetësisë në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi se konkursi për këtë pozitë është zhvilluar në përputhje të plotë me procedurat ligjore dhe parimet e transparencës, barazisë dhe meritës.
“MSH-ja ka shpallur konkurs publik në shkurt për pozitën e kryeinspektorit dhe ka zhvilluar të gjitha procedurat e rekrutimit. Procesi është organizuar në mënyrë të drejtë dhe të hapur, duke u bazuar në kualifikimet profesionale dhe përvojën e kandidatëve”, tha Vitia.
Pozita e kryeinspektorit synon të forcojë mbikëqyrjen dhe të sigurojë zbatimin e legjislacionit në sektorin e shëndetësisë në të gjitha institucionet shëndetësore në Kosovë.
Përveç emërimit të Zeqirit, janë bërë edhe disa emërime të tjera në institucione të rëndësishme publike:
Fikrije Zymberi është emëruar drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë për Arsimin dhe Aftësimin Profesional dhe Arsimin për të Rritur.
Besa Bytyqi-Baraliu është emëruar drejtoreshë e përgjithshme e Inspektoratit të Arsimit.
Sebahate Dushani-Ibrahimi do të udhëheqë Agjencinë e Meteorologjisë së Kosovës si drejtoreshë ekzekutive.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se këto vendime nuk nënkuptojnë nisje të proceseve të reja, por përmbyllje të atyre që kanë filluar gjatë mandatit të rregullt të qeverisë.
“Me këto vendime nuk po fillojmë procese të reja, por vetëm po përmbyllim ato që janë nisur para datës 22 mars 2025, kur qeveria jonë ka kaluar në qeveri në dorëheqje”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se janë marrë edhe vendime për formimin e komisioneve ad-hoc me qëllim përmbylljen e proceseve të mbetura rekrutimi në institucione të ndryshme.
