Vdes tragjikisht në vetaksident i riu nga Vitia

Para 10 muaj

Viti, 8 qershor 2025 – Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në autostradën “Arbën Xhaferi”, ku si pasojë e një vetaksidenti ka humbur jetën një i ri nga Komuna e Vitisë.

Edhe pse autoritetet ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht identitetin e viktimës, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Halili, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për Ideal Halabakun, 22-vjeçar nga Pozherani.

“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për vdekjen tragjike të të riut Ideal Halabaku, i cili u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme dhe të dhimbshme, duke lënë pas pikëllim të madh tek familja, miqtë dhe e gjithë shoqëria jonë,” ka deklaruar Halili në një reagim publik.

Në emër të tij personal dhe të Komunës së Vitisë, Halili ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Halabaku dhe për të gjithë ata që e kanë njohur Idealin, duke e cilësuar atë si një djalë shembullor, të dashur dhe plot jetë.

“Humbja e një jete të re është gjithmonë e rëndë, por kujtimi për Idealin do të mbetet i gjallë tek të gjithë ata që e njohën. Në këto momente të rënda, jemi pranë familjes Halabaku me zemër dhe mendje, duke ndarë me ta dhimbjen e madhe. I përjetshëm qoftë kujtimi i Idealit. Prehu në paqe,” thuhet më tej në reagim.

Policia e Kosovës deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka dhënë detaje zyrtare mbi rrethanat e aksidentit apo shkaqet që mund të kenë çuar në këtë tragjedi.