Prishtinë – Komuniteti mjekësor në Kosovë ka pësuar një humbje të rëndë me ndarjen nga jeta të doktoreshës Nazife Hulaj, një ndër figurat më të përkushtuara të psikiatrisë në vend.
Oda e Mjekëve të Kosovës njoftoi se dr. Hulaj ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për vite me radhë në Klinikën e Psikiatrisë, ku ka ushtruar edhe funksionin e shefes së Urgjencës dhe Kujdesit Intensiv Psikiatrik. Ajo ishte gjithashtu anëtare aktive e Asociacionit të Psikiatërve të Kosovës.
E diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, specializimin në psikiatri e përfundoi në vitin 2004. Oda e Mjekëve shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, miqtë dhe kolegët e saj, duke vlerësuar trashëgiminë e saj profesionale dhe humane në shërbim të pacientëve dhe komunitetit.
