Vdes Giorgio Armani, legjenda botërore e modës

Para 7 muaj

Stilisti i famshëm italian Giorgio Armani ka ndërruar jetë këtë të enjte në moshën 91-vjeçare.

Lajmi për ndarjen nga jeta të legjendës botërore u bë publik nga shtëpia e tij e modës përmes një deklarate për mediat.

“Me hidhërim të pafund, Grupi Armani njofton ndarjen nga jeta të krijuesit, themeluesit dhe forcës së palodhur lëvizëse: Giorgio Armani”, thuhet në deklaratë.

I lindur më 11 korrik 1934, Armani themeloi në vitin 1975 shtëpinë e modës që mban emrin e tij, duke revolucionarizuar industrinë me stilin minimalist, elegancën e rafinuar dhe kostumet ikonike që u bënë simbol i luksit italian në mbarë botën.

Gjatë më shumë se pesë dekadave në krye të skenës së modës, Armani u shndërrua në një ikonë globale, duke ndërtuar një perandori që përfshin veshje, parfume, aksesorë, linja hoteliere dhe produkte të tjera luksi.

Giorgio Armani lindi në qytetin Piacenza të Italisë së Veriut. Fillimisht studioi mjekësi në Universitetin e Milanos, por e ndërpreu shkollimin pas tre vitesh për t’iu kushtuar pasionit për artin dhe estetikën. Pas shërbimit ushtarak, nisi punën në sektorin e shitjes me pakicë të La Rinascente, një nga dyqanet më të famshme të Milanos, ku fitoi përvojën e parë në botën e modës.

Në vitet ’60, Armani punoi si dizajner për Nino Cerruti, ku krijoi linja veshjesh për burrat. Përvoja e tij në këtë periudhë i dha siguri për të ndërtuar stilin e tij unik – elegancë e thjeshtë, e kombinuar me linja të pastra dhe praktike.

Në vitin 1975, së bashku me partnerin e tij Sergio Galeotti, themeloi Giorgio Armani S.p.A.. Marka u bë shumë shpejt sinonim i luksit të përmbajtur dhe minimalizmit modern. Koleksionet e tij të para për burra dhe gra shënuan një revolucion në modë, duke i dhënë fund kostumeve të ngurta dhe duke i zëvendësuar ato me një silhuetë më të lirshme dhe elegante.

Vitet ’80 sollën shpërthimin e famës së Armanit. Kostumet e tij u bënë simbol i profesionistëve të rinj të Wall Street-it dhe u përdorën gjerësisht në filmat hollywoodianë, veçanërisht në filmin American Gigolo (1980) me Richard Gere, që i dha markës një hov ndërkombëtar.

Armani krijoi linja të ndryshme, përfshirë Emporio Armani, Armani Exchange, Armani Jeans dhe Armani Privé, duke shtrirë ndikimin e tij nga haute couture deri te moda e përditshme.

Armani konsiderohet si pionier i konceptit të “elegancës së thjeshtë” – luks pa ekzagjerim. Ai hoqi ndarjen e rreptë mes modës për punë dhe asaj për kohën e lirë, duke krijuar rroba që ofronin rehati, finesë dhe qëndrueshmëri në kohë.

Shumë yje të Hollywood-it, si Richard Gere, Michelle Pfeiffer, Cate Blanchett dhe Leonardo DiCaprio, kanë veshur krijimet e tij në skenën ndërkombëtare.

Armani ruajti gjithmonë një profil të rezervuar për jetën e tij private. Ai nuk u martua kurrë dhe nuk pati fëmijë bilogjikë.