Vazhdon seanca për rastin “Banjska” – dëshmitari F1 dëgjohet me dyer të mbyllura

Para 10 muaj

Ka vazhduar edhe sot seanca gjyqësore për rastin “Banjska”, ndër rastet më të rëndësishme të sigurisë që po trajtohen në gjykatat e Kosovës.

Pas një këshillimi të shkurtër, trupi gjykues vendosi që seanca të vazhdojë e mbyllur për publikun dhe mediat, për shkak të dëgjimit të një dëshmitari të mbrojtur, i identifikuar si F1.

Gjyqtari Arben Hoti bëri të ditur se masat teknike si ndryshimi i zërit dhe pamjes nuk janë të mjaftueshme për të garantuar fshehjen e identitetit të dëshmitarit, duke shtuar se ekziston rreziku i zbulimit të tij për shkak të natyrës së rastit.

“Aprovohet propozimi i Prokurorisë që me rastin e dëgjimit të dëshmitarit F1 të përjashtohet publiku dhe mediat, pasi masat e ndryshimit të fotografisë dhe zërit nuk janë të mjaftueshme. Bazuar në rrethanat e rastit, ka gjasa që të zbulohet identiteti i tij. Andaj nga ky moment kërkoj ta lironi sallën,” u shpreh gjyqtari.

Ky vendim lidhet me procesin gjyqësor për ngjarjet e ndodhura më 24 shtator 2023 në fshatin Banjska të komunës së Zveçanit, ku një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë, ndërsa disa persona të armatosur humbën jetën në përleshje.

Rasti vazhdon të trajtohet si një ndër më seriozët që lidhen me sigurinë në veri të Kosovës, dhe dëshmia e dëshmitarit F1 pritet të ketë rëndësi të veçantë në zbardhjen e detajeve të sulmit dhe përfshirjen e të dyshuarve.