Vapa shkakton mbingarkesë në QKUK, apelohet për më shumë përdorim të qendrave të mjekësisë familjare

Para 9 muaj

Rritja e temperaturave të larta gjatë javëve të fundit ka shtuar ndjeshëm numrin e pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, veçanërisht në Klinikën Emergjente, duke shkaktuar mbingarkesë dhe sfida në ofrimin e kujdesit cilësor për rastet urgjente.

Drejtori i Klinikës Emergjente, Dr. Naser Syla, ka deklaruar se fluksi i pacientëve që mund të trajtoheshin në nivelin parësor të kujdesit shëndetësor po e vështirëson menaxhimin e rasteve kritike. “Jemi të mbingarkuar, dhe kjo ndikon në cilësinë e trajtimit që mund ta ofrojmë për rastet e vërteta emergjente,” tha ai.

Ai apeloi që qytetarët të kërkojnë ndihmë fillimisht në qendrat e mjekësisë familjare, të cilat janë të pajisura për të trajtuar raste më të lehta, për të shmangur ngarkesën në institucionet terciare.

Kryeshefi i Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, Mustafa Gashi, theksoi se qendrat funksionojnë 24 orë dhe ofrojnë shërbime të plota për diagnostikim dhe trajtim, por shpesh anashkalohen nga qytetarët. Ai theksoi se edhe këto qendra po përballen me fluks të shtuar, veçanërisht nga persona të moshuar dhe ata me sëmundje kronike.

Gashi apeloi për kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta dhe shmangie të qëndrimit të panevojshëm në diell, sidomos gjatë orëve të pikut.