Rreth 670 emigrantë nga vendet e Afrikës kanë mbërritur në Itali brenda një periudhe 10-orëshe, duke shënuar një tjetër valë të madhe të emigracionit përmes Mesdheut. Shumica e emigrantëve u zbarkuan në ishullin Lampedusa, një nga pikat më të prekura nga flukset migratore.
Sipas mediave italiane, emigrantët vinin kryesisht nga Gambia, Nigeria, Senegal, Guinea, Mali dhe Bregu i Fildishtë. Ata udhëtuan me anije të vogla nga brigjet e Tunizisë dhe Libisë dhe u shpëtuan nga roja bregdetare italiane në disa operacione të njëpasnjëshme. Mes tyre kishte edhe gra dhe fëmijë.
Qendra e pritjes në Lampedusa është sërish në prag të mbingarkesës, ndërsa autoritetet lokale kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria qendrore dhe Bashkimi Evropian për menaxhimin e situatës.
Kjo ngjarje vjen në një kohë kur në Itali po zhvillohen debate të forta politike mbi qasjen ndaj emigracionit dhe nevojën për reforma të politikave të pritjes dhe integrimit.
