Vajzat e pasura rrahin, institucionet lëvizin ngadalë, mediat shmangin emrat

Para 10 muaj

Brenda dy ditësh, qyteti i Gjilanit është goditur nga dy ngjarje tronditëse që kanë alarmuar opinionin publik dhe kanë hapur plagë të thella shoqërore: një vrasje e trefishtë me një të plagosur, dhe rrahja brutale e një vajze të mitur nga bashkëmoshatare të saj. Në të dyja rastet, një element mbizotëron: autorët e dyshuar janë të lidhur me pushtet, para ose ndikim shoqëror. Dhe kjo duhet të jetë alarm për mediat, institucionet dhe për të gjithë ne si shoqëri.

Rasti i rrahjes së vajzës së mitur është veçanërisht i rëndë dhe kërkon trajtim të thellë, jo vetëm si ngjarje kriminale, por si simptomë e një sëmundjeje më të thellë shoqërore. Sipas informacioneve të përhapura nga qytetarët, vajza që udhëhoqi grupin agresor është e bijë e një biznesmeneje të njohur në qytet dhe e lidhur me figura publike. Kjo i jep ngjarjes një dimension shtesë: për herë të disatë, dhuna vjen nga ata që ndihen të paprekshëm – dhe shpesh janë.

Në videon që është përhapur në rrjetet sociale, shihet një akt i pashembullt dhune ndaj një të miture, e cila rrihet, poshtërohet dhe kërcënohet për jetë nga bashkëmoshatare të saj. E gjithë ngjarja është filmuar, çka tregon jo vetëm mungesën e frikës ndaj ndëshkimit, por edhe një formë të re të devijimit social ku dhuna kthehet në spektakël. Ky është një tregues se nuk kemi të bëjmë më me konflikte të izoluara rinore, por me një përkeqësim të vlerave që rrjedh nga mungesa e përgjegjësisë në familje, shkolla dhe institucione.

Rrënjët e kësaj sjelljeje duhen kërkuar në një sistem ku të ashtuquajturit “të fortë” nuk janë më ata që lexojnë, mësojnë dhe kontribuojnë, por ata që bëjnë para shpejt, që rrahin më fort, që shantazhojnë, filmojnë, dhe sillen si të paprekshëm. Shoqëria i sheh, i toleron, madje i ndjek në rrjete sociale dhe i sheh si “influencerë”. Ky është kulmi i krizës së vlerave që po e kaplon rininë tonë.

Për më tepër, mediat – në një pjesë të mirë – e kanë trajtuar rastin me kujdes të tepruar, madje me një lloj vetëcensure. Shumë portale kanë raportuar vetëm me disa fjali të përgjithshme, duke shmangur pyetjen e vetme që ka rëndësi: kush janë vajzat që e kanë kryer dhunën? Dhe pse nuk ka ndodhur ende asnjë ndalim apo masë ndëshkuese? Kjo qasje “neutrale” nuk është gazetari etike – është gazetari frikacake, që ka frikë të prekë emrat që kanë ndikim. Ndërsa në raste të tjera, për një të mitur që kapet me cigare, shkrimet janë të gjata dhe moralizuese.

Ajo që ngjan sot në Gjilan nuk është problem vetëm i atij qyteti. Është reflektim i një shoqërie që ka humbur busullën morale, ku paratë dhe lidhjet i mbyllin gojën sistemit të drejtësisë, ndërsa viktimat heshtin ose mbyllen në shtëpi me trauma që nuk shërohen lehtë. A është drejtësia selektive? A ka vërtet guxim një prind i zakonshëm – profesor apo punëtor – të përballet me prindërit e një “vajze të fortë” me ndikim? Apo jemi në një fazë ku ligji funksionon vetëm për ata që s’kanë miq dhe as lidhje?

Ngjarja e vrasjes së trefishtë, sado tronditëse, është rezultat i së njëjtës logjikë: një njeri me histori të lidhur me fajden, që për vite me radhë është toleruar nga institucionet, është ulur me figura publike dhe është etiketuar si “biznesmen”. Kur shoqëria i jep fuqi të tillë individëve me histori të dyshimta, nuk është çudi që dhuna shpërthen. Por kur edhe vajzat e reja e imitojnë këtë model, kjo është më e frikshme. Sepse tregon që brezat e rinj po formohen me mesazhin: “Nëse ke para, je mbi ligjin”.

Është koha që shoqëria jonë të ndalojë së heshturi. Që drejtësia të mos frikësohet nga mbiemrat e fuqishëm. Që mediat të mos bëjnë kompromis me të vërtetën nga frika e padive ose e “miqësive” me ndikim. Sepse sot është një vajzë e mitur, nesër mund të jetë çdokush nga ne. Dhe kur dhuna institucionalizohet në heshtje, ajo vetëm përhapet.

Gjilani është pasqyrë e një gjendjeje që po shpërndahet në tërë Kosovën: mungesë kontrolli mbi paratë, mbi ndikimin dhe mbi edukimin. Por edhe një pasqyrë ku ne duhet të shikojmë veten. Sepse nëse ky rast kalon në heshtje, atëherë nuk është vetëm faji i dhunuesve – është faji i secilit prej nesh që e pranon këtë realitet pa reaguar. Dhe më pas, do të jetë tepër vonë.