Vajza e 77-vjeçarit të ndaluar në Serbi kërkon ndërhyrje urgjente: Rrezikohet jeta e tij

Para 5 muaj

Vajza e shtetasit të Kosovës H.H., i cili po mbahet prej 77 ditësh nga autoritetet serbe nën akuza për krime lufte, ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet e Kosovës.

Në një letër zyrtare, Anita Haziri ka bërë apel urgjent, duke theksuar se babai i saj, 77 vjeçar dhe me shëndet të brishtë, po mbahet në kushte jo humane dhe pa asnjë provë konkrete. Ajo shpreh shqetësim të thellë për gjendjen fizike dhe psikologjike të tij, si dhe për mungesën e trajtimit adekuat mjekësor.

Haziri kërkon nga institucionet e Kosovës të reagojnë zyrtarisht ndaj Serbisë, duke kërkuar:

  • Lirimin e menjëhershëm të H.H., ose
  • Transferimin e rastit në Kosovë, sipas marrëveshjes së vitit 2015, e cila parasheh gjykimin e rasteve të tilla në gjykatat kosovare kur i dyshuari është shtetas i Kosovës.

Ajo thekson se babai i saj nuk paraqet rrezik arratisjeje, është i moshuar, pa të kaluar kriminale dhe se mbajtja e zgjatur përbën rrezik real për jetën dhe dinjitetin e tij.

Familja kërkon mbështetje dhe veprim urgjent nga institucionet.