Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar një trajnim të avancuar në qitje me precizion të lartë nga distanca të largëta, me synimin për t’u certifikuar si snajperistë profesionalë operativë.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi zyrtar të FSK-së në rrjetet sociale, ku theksohet se trajnimet janë pjesë e vazhdueshme e ngritjes së kapaciteteve ushtarake dhe përgatitjes profesionale të trupave.
“Ky trajnim ka për synim certifikimin e pjesëtarëve si snajperistë profesionalë operativë, të aftë të përdorin kalibra të ndryshëm sipas standardeve moderne ushtarake. FSK vazhdon përkushtimin për zhvillimin dhe profesionalizimin e ushtarakëve të saj në nivelin më të lartë”, thuhet në njoftim.
Ky aktivitet vjen si pjesë e agjendës së zhvillimit strategjik të FSK-së, e cila përfshin trajnime të specializuara në fusha të ndryshme të aftësive taktike dhe luftarake, në përputhje me standardet e NATO-s dhe partnerëve ndërkombëtarë.
FSK mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një force moderne, të disiplinuar dhe të gatshme për të përmbushur detyrat e saj në mbrojtjen e vendit dhe në misionet ndërkombëtare.
