Ukraina synon shkëputjen nga dollari, drejt lidhjes së valutës kombëtare me euron

Para 11 muaj

Ukraina ka filluar të shqyrtojë mundësinë e shkëputjes nga dollari amerikan si valutë referente, duke konsideruar lidhjen më të ngushtë të valutës së saj kombëtare, hryvnia, me euron. Këtë e ka bërë të ditur guvernatori i Bankës Qendrore të Ukrainës, Andriy Pyshnyi, në një intervistë për agjencinë “Reuters”.

Sipas tij, ky vendim po shqyrtohet në kontekstin e ndryshimeve të mëdha gjeopolitike dhe ekonomike, përfshirë afrimin e Ukrainës me Bashkimin Evropian, paqëndrueshmërinë në tregjet globale dhe copëtimin në rritje të tregtisë ndërkombëtare.

“Pranimi i mundshëm në BE, fuqizimi i rolit të Evropës në mbrojtjen tonë dhe fragmentimi i tregtisë globale, po na shtyjnë të rishikojmë nëse euroja duhet të bëhet valuta jonë referente në vend të dollarit,” deklaroi Pyshnyi. Ai shtoi se ky proces është kompleks dhe kërkon përgatitje të gjithanshme dhe cilësore.

Megjithatë, pavarësisht premtimeve nga BE-ja dhe partnerët evropianë për mbështetje ushtarake dhe politike, progresi në këtë drejtim ka qenë i ngadalshëm dhe sfidues.

Ky hap i mundshëm tregon orientimin e qartë të Ukrainës drejt integrimit më të thellë me strukturat evropiane dhe largimin gradual nga ndikimi ekonomik amerikan.