Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka njoftuar se Turqia do të rrisë prodhimin e raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, për të forcuar aftësitë parandaluese të vendit dhe për të siguruar që “asnjë shtet të mos guxojë ta sulmojë”.
Ky vendim vjen në kohën kur lufta midis Izraelit dhe Iranit po përshkallëzohet, duke rritur shqetësimet për një garë të re armatimesh në rajon. Erdogan ka theksuar se çështja bërthamore iraniane mund të zgjidhet vetëm përmes negociatave, dhe ka ofruar ndërmjetësim.
Izraeli nuk ka komentuar për planet ushtarake të Turqisë, por ministri i jashtëm izraelit Gideon Saar e ka akuzuar Erdoganin për “ambicie imperialiste”.
Ndërkohë, Turqia shpreson të forcojë mbrojtjen përballë pasojave të mundshme si rritja e çmimit të energjisë, migrimi nga Irani, dhe presioni ekonomik i brendshëm.
