Trump vendos tarifa të reja ndaj 68 vendeve – reagime dhe pasiguri globale

Para 9 muaj

Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për vendosjen e tarifave nga 10% deri në 41% ndaj dhjetëra vendeve, përfshirë aleatë të ngushtë si Kanadaja, BE-ja, Japonia dhe India. Masat synojnë, sipas Trump, të “riformësojnë ekonominë globale” dhe të mbështesin eksportuesit amerikanë.

Tarifat do të hyjnë në fuqi brenda një jave, duke zëvendësuar datën fillestare, 1 gusht. Trump la të hapur mundësinë për marrëveshje tregtare individuale, por paralajmëroi se shumica e tarifave janë tashmë të pandryshueshme.

Disa vende, si Pakistan, BE dhe Japonia, kanë arritur marrëveshje për ulje tarifash, ndërsa të tjera – si Siria, Laosi, Iraku dhe Kanadaja – përballen me tarifa ndëshkuese deri në 41%. Meksikës iu dha shtyrje 90-ditore, pas një telefonate me presidenten Claudia Sheinbaum.

Vendimi është kritikuar si i nxitur politikisht, veçanërisht në rastin e Brazilit, pas hetimeve ndaj ish-presidentit Bolsonaro, dhe ndaj Kanadasë, për çështje që lidhen me drogën dhe politikën e jashtme.

Gjykata e Apelit po shqyrton ligjshmërinë e urdhrit, ndërsa zëdhënës të Shtëpisë së Bardhë konfirmuan se disa vende ende nuk janë njoftuar zyrtarisht.