Trump urdhëron vendosjen e dy nëndetëseve bërthamore pas deklaratave provokuese të Medvedev

Para 9 muaj

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se ka urdhëruar pozicionimin e dy nëndetëseve bërthamore amerikane në “rajonet e duhura”, si përgjigje ndaj asaj që e cilësoi si “deklarata shumë provokuese” nga zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev.

Lajmin e bëri të ditur vetë Trump përmes një postimi në platformën e tij të mediave sociale, pa dhënë detaje të mëtejshme për vendndodhjen apo kapacitetet specifike të këtyre nëndetëseve.

“Bazuar në deklaratat shumë provokuese të ish-presidentit të Rusisë, Dmitry Medvedev (…), kam urdhëruar që dy nëndetëse bërthamore të pozicionohen në rajonet e duhura, në rast se këto deklarata budallaqe dhe nxitëse janë më shumë se kaq”, shkroi Trump.

Ai paralajmëroi se fjalët e liderëve globalë mund të kenë pasoja serioze:

“Fjalët janë shumë të rëndësishme dhe shpesh mund të çojnë në pasoja të padëshiruara. Shpresoj se ky nuk do të jetë një nga ato raste.”

Deklarata e Trump u mbështet publikisht edhe nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili e ripostoi mesazhin në rrjetin social X.

Kjo lëvizje vjen në një kohë tensioni në rritje mes SHBA-së dhe Rusisë, me retorikë gjithnjë e më të ashpër nga të dyja palët. Aktualisht nuk ka një reagim zyrtar nga Kremlini lidhur me këtë zhvillim.