Trump u vë drynin zyrave të USAID jashtë vendit, shpërbëhet personeli në të gjitha ambasadat

Para 10 muaj

Administrata Trump ka vendosur të mbyllë të gjitha zyrat e USAID-it jashtë vendit deri më 30 shtator, duke paralajmëruar një ristrukturim drastik të operacioneve të ndihmës së jashtme amerikane.

Sipas një telegrami të Departamentit të Shtetit të martën, të siguruar nga “The Guardian”, sekretari i shtetit Marco Rubio ka urdhëruar shpërbërjen e të gjithë personelit ndërkombëtar të agjencisë, duke kaluar kontrollin e programeve të ndihmës së jashtme direkt nën Departamentin e Shtetit.

Ky urdhër prek mijëra punonjës të USAID në mbarë botën, përfshirë zyrtarë të shërbimit të jashtëm, kontraktorë dhe punonjës lokalë në mbi 100 vende. Shefat e misioneve në ambasadat amerikane janë njoftuar të përgatiten për ndryshimet që do të ndodhin brenda katër muajsh.

“Departamenti i Shtetit po thjeshton procedurat sipas Udhëzimit të Sigurisë Kombëtare nr. 38 për të shpërbërë të gjitha pozicionet jashtë shtetit të USAID”,thuhet në telegram, duke shtuar se Departamenti “do të marrë përsipër përgjegjësinë për programet e ndihmës së jashtme që më parë zhvilloheshin nga USAID”, duke nisur nga data 15 qershor.

Telegrami është firmosur edhe nga Howard Van Vranken, ish-ambasador në Botsvanë.

Vendimi për mbylljen e agjencisë vjen pas eliminimit të 83% të programeve të USAID nga administrata Trump në një “pastrim” gjashtë-javor nën emrin “Departamenti për Efikasitetin e Qeverisë” (Doge), pas marrjes së detyrës nga Trump.

Rubio njoftoi në mars se 5,200 nga 6,200 programet globale të agjencisë ishin mbyllur, ndërsa iniciativat e mbetura do të përfshiheshin brenda Departamentit të Shtetit.

Këto mbyllje pasuan një urdhër ekzekutiv të nënshkruar nga Trump në ditën e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, duke ngrirë të gjitha ndihmat e jashtme në pritje të një rishikimi.

Edhe pse më vonë u dha një përjashtim për ndihmën humanitare, të ardhmen e USAID-it e vuri në pikëpyetje zhdukja e faqes zyrtare të agjencisë më 1 shkurt. Dy ditë më vonë, punonjësit morën një email që i udhëzonte të mos shkonin në punë, pasi gjatë fundjavës ishin hequr serverët dhe drejtuesit ishin shkarkuar ose pezulluar.
Rubio shpalli veten si administrator të përkohshëm të agjencisë, pasi punonjësit u përjashtuan nga selia në Uashington.

Në mes të këtyre shkurtimeve, Elon Musk, miliarderi dhe udhëheqësi de facto i Doge, u mburr se kishte “futur USAID-in në makinën për copëtim”, duke përhapur një sërë dezinformatash, përfshirë pretendimin e rremë se agjencia kishte shpenzuar 50 milionë dollarë për shpërndarje prezervativësh në Gaza – gjë që më vonë rezultoi e pavërtetë.

Sipas dokumenteve të brendshme, zyrtarët e lartë të USAID paralajmëruan Rubio për pasojat katastrofike të këtyre shkurtimeve: 1 milion fëmijë pa trajtim për kequshqyerje, deri në 160,000 vdekje nga malaria dhe 200,000 fëmijë të paralizuar nga poliomieliti në dekadën e ardhshme.

Punonjësit e mbetur të agjencisë u urdhëruan të shkatërrojnë dokumentet e klasifikuara në mars, përmes copëtimit ose djegies, sipas një emaili të dërguar nga sekretarja e përkohshme e USAID, Erica Y Carr.

“Copëtoni sa më shumë dokumente në fillim dhe përdorni qeset për djegie vetëm kur makineria për copëtim të mos jetë e disponueshme ose të ketë nevojë për pushim”, shkruante Carr. /Përshtatur nga “The Guardian”