Presidenti amerikan, Donald Trump, ka komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me bisedimet për paqe midis Ukrainës dhe Rusisë, duke hedhur dyshime mbi suksesin e tyre dhe duke theksuar rolin e tij vendimtar në këtë proces.
Nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ndodhet në ditën e fundit të vizitës në Lindjen e Mesme, Trump tha se megjithëse delegacionet ukrainase dhe ruse pritet të takohen sot në Stamboll, nuk pret ndonjë përparim të madh.
“Është koha që ta përfundojmë këtë çështje. Do ta mbyllim këtë,” u shpreh Trump, duke e lënë të nënkuptohet se një marrëveshje pa praninë e tij nuk është realisht e mundur.
Në një deklaratë që pritet të ndezë reagime, ai tha se presidenti rus, Vladimir Putin, ka refuzuar të marrë pjesë në bisedimet e organizuara nga SHBA në Turqi pikërisht sepse “unë nuk isha aty”.
Trump gjithashtu njoftoi se dëshiron një takim personal me Putinin sa më shpejt, duke theksuar se një përparim i vërtetë në negociata nuk mund të ndodhë pa këtë takim.
Ndërkohë, në Stamboll kanë nisur negociatat trepalëshe midis SHBA-së, Ukrainës dhe Turqisë – por pa praninë e Rusisë, çka e bën të paqartë rrjedhën e mëtejshme të dialogut për paqe.
