Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se nuk do të ketë asnjë përparim drejt një armëpushimi në Ukrainë derisa ai personalisht të takohet me presidentin rus Vlladimir Putin.
“Asgjë nuk do të ndodhë derisa të takohem me Putinin,” tha Trump para gazetarëve gjatë udhëtimit me avionin presidencial Air Force One, si pjesë e turneut të tij aktual në Lindjen e Mesme.
Deklarata e tij vjen pasi Putin shpalli emrat e anëtarëve të delegacionit që do t’i dërgojë në bisedimet për paqe në Istanbul, ndërsa vetë ai nuk është pjesë e delegacionit, duke u dhënë fund spekulimeve se mund të marrë pjesë personalisht. Trump më herët kishte sinjalizuar se mund të merrte pjesë nëse do të shkonte edhe Putini.
I pyetur nëse ishte i zhgënjyer që Putin dërgoi një delegacion të nivelit më të ulët, Trump u përgjigj: “Nuk jam i zhgënjyer për asgjë.”
“Dukshëm, ai nuk kishte ndërmend të shkonte. Donte të shkonte, por mendonte se do të shkoja edhe unë. Nuk do të shkonte nëse nuk shkoj unë. Dhe nuk besoj se do të ndodhë ndonjë gjë, qoftë kjo e pëlqyeshme apo jo për dikë, derisa të takohemi ne të dy. Por, duhet ta zgjidhim këtë, sepse shumë njerëz po vdesin”, shtoi Trump.
