Trump: Nuk është momenti për t’i kërkuar Izraelit të ndalet

Para 10 muaj

Donald Trump, ka deklaruar se është e vështirë t’i kërkohet Izraelit të ndalë sulmet ndaj Iranit, duke theksuar se Izraeli është “aktualisht duke fituar” në përshkallëzimin e fundit të konfliktit. Ai gjithashtu paralajmëroi se Irani ka një afat maksimal prej dy javësh për të rifilluar negociatat, përpara se SHBA të ndërmarrë veprime të mëtejshme.

Deklarata e Trump erdhi pas një komenti nga ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i cili u shpreh i hapur për diplomaci, me kusht që të ndalet agresioni dhe “agresori të mbahet përgjegjës”.

Sipas Trump, bisedimet me Evropën nuk kanë sjellë rezultat dhe shtoi se “Irani dëshiron të flasë me ne, jo me Evropën”. Ai gjithashtu paralajmëroi se Irani mund të ishte afër sigurimit të një arme bërthamore, ndërsa Teherani këmbëngul se programi i tij është vetëm për qëllime civile.

Konflikti nisi më 13 qershor me një seri sulmesh izraelite në Iran, që më pas u pasuan me kundërsulme me raketa dhe dronë nga ana e Iranit. Deri tani, raportet flasin për qindra viktima nga të dyja palët.