Trump kërkon “dorëzim të pakushtëzuar” nga Irani ndërsa SHBA shton praninë ushtarake

Para 10 muaj

Izraeli ka nisur sulmet me raketa dhe dronë ndaj objektivave në Iran, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka përshkallëzuar retorikën e tij në rrjetin social Truth, duke nxitur idenë se Shtetet e Bashkuara mund të përfshihen drejtpërdrejt në konflikt. Trump u largua befas nga samiti i G7 në Kanada këtë të hënë, për shkak të tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme, dhe ka vendosur të shtojë presionin mbi Teheranin.

Në një postim në Truth, Trump shkroi se e di vendndodhjen e ajatollait Ali Khamenei dhe e përshkroi atë si “një qëllim të lehtë”. Ndërkohë, Pentagoni ka nisur dërgimin e avionëve luftarakë shtesë në Lindjen e Mesme, sipas agjencisë Reuters.

Mesazhi i Trump për Iranin ishte i qartë: “DORËZIM I PAKUSHTËZUAR”, shkruajti me shkronja të mëdha në rrjetin e tij social. Burime të ndryshme amerikane raportuan se të martën presidenti diskutoi me ekipin e tij të sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë disa opsione, përfshirë edhe një sulm të mundshëm amerikan ndaj Iranit. Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë publik rezultatin e takimit.

Ndërkohë, Trump zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, pa zbuluar detaje mbi përmbajtjen. Po ashtu, Shtetet e Bashkuara kanë mbyllur përkohësisht ambasadën e tyre në Jerusalem deri të premten.

Trump pohoi se e di ku ndodhet lideri suprem iranian dhe kërcënoi se “është një qëllim i lehtë”, megjithëse shtoi se për momentin nuk ka ndërmend ta eliminojë. Ai paralajmëroi Iranin që të mos godasë civilë apo ushtarë amerikanë, duke thënë se “durimi po i mbaron”.

Në të njëjtën kohë, zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance në rrjetin social X sugjeroi se Trump mund të marrë masa shtesë për të ndalur pasurimin e uraniumit iranian.

Izraeli nuk disponon armët antibunker dhe avionët bombardues të mëdhenj që do të ishin të nevojshëm për të shkatërruar fabrikën e pasurimit të uraniumit në Fordow, një objekt i ndërtuar thellë brenda një mali, dhe për këtë arsye kërkon mbështetje direkte nga Shtetet e Bashkuara.

Trump ka përdorur shpesh formën “ne” në deklaratat e fundit, duke nënkuptuar përfshirjen e SHBA-së. Ai tha se tani “kemi kontroll total dhe absolut të hapësirës ajrore mbi Iranin”.

Më shumë avionë luftarakë, përfshirë F-16, F-22 dhe F-35, janë dislokuar në rajon, sipas Reuters, por qëllimi i tyre kryesisht është mbrojtja, duke u përdorur për të rrëzuar dronë dhe raketa.

Nga ana tjetër, sipas raportimeve nga The New York Times, Irani ka përgatitur raketa dhe pajisje të tjera ushtarake për të sulmuar bazat amerikane në Lindjen e Mesme në rast se SHBA-ja përfshihet në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit.