Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të martën në mbrëmje se Izraeli ka pranuar kushtet për një armëpushim 60-ditor në Gaza, gjatë të cilit do të zhvillohen negociata për t’i dhënë fund konfliktit. Lajmi u bë i ditur përmes një postimi në rrjetin e tij, Truth Social.
Trump theksoi se përfaqësuesit e tij kanë zhvilluar një takim të gjatë me zyrtarët izraelitë dhe vlerësoi ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit, të cilët pritet të paraqesin një propozim përfundimtar për marrëveshjen.
“Shpresoj që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse situata nuk do të përmirësohet – do të përkeqësohet vetëm,” tha Trump.
Ndërkohë, Ministri izraelit i Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, ka konfirmuar për të dërguarin amerikan në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, se Izraeli është gati për bisedime të drejtpërdrejta me Hamasin, me qëllim finalizimin e marrëveshjes dhe lirimin e pengjeve.
Trump paralajmëroi se deri javën e ardhshme, kur pritet vizita e kryeministrit Netanyahu në SHBA, mund të arrihet marrëveshja përfundimtare.
