Trump i paqartë për sanksionet ndaj Rusisë: “Duhet ta shqyrtoj”

Para 11 muaj

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur hezitim për të mbështetur një projektligj të ri të Senatit, që parashikon vendosjen e sanksioneve të ashpra kundër Rusisë dhe partnerëve të saj tregtarë.

Në një deklaratë për gazetarët, Trump tha: “Nuk e di. Duhet ta shoh. Do ta shqyrtoj”, kur u pyet nëse do ta mbështeste nismën që synon vendosjen e tarifave deri në 500% për importet nga vendet që vazhdojnë bashkëpunimin tregtar me Rusinë, përfshirë blerjen e naftës dhe gazit.

Projektligji është hartuar nga senatorët Lindsey Graham (republikan) dhe Richard Blumenthal (demokrat), të cilët po kërkojnë një reagim më të fortë të Uashingtonit ndaj refuzimit të Rusisë për të bashkëpunuar në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

Në të njëjtën ditë, nga Kievi, Graham dhe Blumenthal deklaruan se projektligji pritet të hyjë në diskutim në Senat javën e ardhshme. Ata gjithashtu njoftuan se disa anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve janë të gatshëm të mbështesin një version të ngjashëm të projektligjit.

Iniciativa për sanksione të reja ka mbështetje dypartiake, me rreth 50 senatorë që kanë nënshkruar një dokument për ndëshkimin e Moskës, për shkak të refuzimit të saj për të pranuar propozimet amerikane për paqe në Ukrainë.

Megjithatë, sipas një raporti të Axios, Trump ka lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të ndërmarrë masa të reja kundër Rusisë. Raporti citon burime të afërta me ish-presidentin, të cilat thonë se pas një bisede me Presidentin rus Vladimir Putin, Trump i ka dhënë sinjale udhëheqësve evropianë dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Moska po tregon “interes të sinqertë” për zgjidhjen e konfliktit.