Trump i hapur për një takim me liderët e Ukrainës dhe Rusisë në Türkiye

Para 11 muaj

Presidenti amerikan Donald Trump është i hapur për të zhvilluar një takim me homologët e tij rus dhe ukrainas në Türkiye, si pjesë e një iniciative më të gjerë për t’i dhënë fund luftës së Kremlinit ndaj fqinjit të tij në Evropën Lindore, njoftoi të hënën Shtëpia e Bardhë.

“Presidenti ka thënë se është i hapur nëse arrihet deri aty, por ai dëshiron që të dy liderët dhe të dyja palët të ulen në tryezë së bashku,” u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Këto komente vijnë pas deklaratës së presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, i cili të hënën ofroi të mbajë një samit me pjesëmarrjen e tij dhe të liderëve të tre shteteve.

Duke folur pas një mbledhjeje të kabinetit, Erdoğan tha se “dëshira më e madhe” e tij është të sjellë presidentin rus Vlladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky së bashku në Istanbul ose Ankara.”Do të doja të sillja edhe [Presidentin e ShBA-së Donald] Trump me vete,” shtoi ai, ndërsa delegacionet ruse dhe ukrainase zhvillonin raundin e dytë të negociatave në Istanbul.

“Ishte një takim vërtet madhështor. Si rezultat i këtij takimi, megjithëse më parë ka pasur shkëmbime të të burgosurve, këtë herë numri i tyre kaloi një mijë. Përveç kësaj, pati edhe kthime trupash nga Rusia dhe Ukraina jashtë këtij shkëmbimi. Edhe këto shifra janë shumë të mëdha. Jemi vërtet krenarë për këtë,” deklaroi Erdoğan.

Ai shtoi se, nëse liderët vijnë në Türkiye, “do të takohem edhe unë me ta në këtë takim, në mënyrë që ta kthejmë Isatnbulin në një qendër paqeje.”

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë