Trump: E kërcënova Putinin me bombardimin e Moskës për ta ndalur pushtimin e Ukrainës

Para 9 muaj

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar gjatë një takimi privat me donatorë në vitin 2024 se i kishte kërcënuar presidentin rus Vladimir Putin me bombardimin e Moskës nëse Rusia do të sulmonte Ukrainën. Sipas një audio-incizimi të siguruar nga CNN, Trump ka thënë: “Nëse hyni në Ukrainë, do ta bombardoj Moskën deri në fund”, duke shtuar se Putin nuk e besoi plotësisht, por “më besoi 10%”.

Trump gjithashtu përmendi një paralajmërim të ngjashëm ndaj presidentit kinez Xi Jinping, në rast të një pushtimi të mundshëm të Tajvanit, duke thënë se SHBA do të bombardonte Pekinin si kundërpërgjigje. “Ai mendonte se isha i çmendur”, tha Trump, duke shtuar se me Xi-në “nuk kemi pasur kurrë problem”.

Këto deklarata janë pjesë e një serie audio-regjistrimesh nga mbledhjet e fondeve të vitit 2024, të përfshira në librin “2024” nga gazetarët Josh Dawsey, Tyler Pager dhe Isaac Arnsdorf. Fushata e Trump nuk ka komentuar mbi përmbajtjen e incizimeve. Presidenti Trump ka deklaruar se, po të ishte në pushtet gjatë këtyre viteve, do të kishte shmangur luftërat në Ukrainë dhe Gaza.