Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar lidhur me vrasjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në SHBA, ku dy anëtarë të stafit të Ambasadës Izraelite u vranë pranë Muzeut Hebraik të kryeqytetit, në Uashington, DC.
Përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, duke dënuar ashpër aktin dhe duke e cilësuar atë si të motivuar nga antisemitizmi.
“Këto vrasje të tmerrshme në Uashington, të bazuara padyshim në antisemitizëm, duhet të marrin fund, tani! Urrejtja dhe radikalizmi nuk kanë vend në SHBA. Ngushëllime familjeve të viktimave. Sa e trishtueshme që gjëra të tilla mund të ndodhin! Zoti ju bekoftë të gjithëve,” shkroi Trump.
Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, reagoi për ngjarjen, duke e quajtur atë një akt të turpshëm dhe frikacak me motiv antisemit. Ai siguroi se autoritetet amerikane do të punojnë për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët.
“Ky ishte një akt i paturpshëm dhune frikacake antisemite. Mos u gaboni: ne do t’i gjejmë ata që janë përgjegjës dhe do t’i nxjerrim para drejtësisë,” tha Rubio përmes një postimi në platformën X.
Sipas zyrtarëve që kanë folur për mediat lokale, sulmuesi, i armatosur dhe agresiv, bërtiti “Palestina e lirë” gjatë momentit të arrestimit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë. Danny Danon, përfaqësuesi i përhershëm i Izraelit në Kombet e Bashkuara, e cilësoi sulmin si një kalim të vijës së kuqe.
“Sulmi ndaj diplomatëve dhe anëtarëve të komunitetit hebraik kalon një vijë të kuqe. Jemi të bindur se autoritetet amerikane do të veprojnë me forcë kundër atyre që janë përgjegjës për këtë akt kriminal,” u shpreh Danon në një postim në X.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e ngjarjes, ndërsa komuniteti hebraik dhe ai diplomatik në SHBA janë në alarm për sigurinë e tyre.
